| Share

Kryebashkiaku Mziu inspekton ambientet e stadiumit të qytetit

13.08.2015

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, inspektoi sot ambientet e stadiumit të qytetit. Në prag të fillimit të sezonit të ri futbollistik, po kryhet rehabilitimi i të gjitha ambienteve, në mënyrë që të jetë gjithçka gati për fillimin e kampionatit të Kategorisë së Parë, ku merr pjesë edhe ekipi i futbollit FC Kamza. 
Stadiumi mund të mbajë deri në 5500 spektatorë, një pjesë e mirë e të cilëve do të ulen në tribunën B, që ndodhet në anën lindore të stadiumit dhe ka 9 shkallë, të ndërtuara sipas standardeve bashkëkohore, ku janë vendosur karrige plastike. Në këtë investim të Bashkisë, që nga viti 2008, janë bërë një sërë punimesh dhe restaurimesh, mes të cilave ndërtimi i tribunës A, ndërtimi i tribunës B, sistemimi i fushës dhe i tapetit, impianti ujitës, drenazhimet për kullimin e ujërave, rrethimi i stadiumit, ndërtimi i dhomave apo mjediseve të tjera ndihmëse etj. Nga një fushë që dikur ishte e rrethuar me tela, nëpërmjet investimeve të Bashkisë, tani është bërë e mundur që qyteti të ketë një stadium me parametra të kohës. Ndërkohë, këto ditë është bërë pastrimi i fushës dhe i ambienteve të tjera, gjë për të cilën është angazhuar maksimalisht Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit. Gjithashtu, në ditët në vijim do të kryhet edhe çdo punim tjetër, për të ofruar një infrastrukturë të përshtatshme për zhvillimin e ndeshjeve të ekipeve të Kamzës.
Bashkia Kamëz do të mbështesë këtë vit ekipin e futbollit të qytetit, me synim që së shpejti të jetë në elitën e futbollit shqiptar. Kryebashkiaku Mziu ka garantuar mbështetjen e Bashkisë për krijimin e një ekipi kompetitiv për të mundësuar shpalljen kampion të ekipit FC Kamza në Kategorinë e Parë. Falë mbështetjes së kryetarit të Bashkisë së Kamzës, zotit Xhelal Mziu, në vitin 2011 Kamza u ngjit në Superligë.